TREGIM
Na e sollën në spital orët e para të një mëngjesi të acartë të atij dimri të mallkuar të 1942-shit.
Ishte pothuaj e ngrirë. Nga rraskapitja dhe uria sytë i mbante gjysmë çelur. Ishte fare e vockël! Një fëmijë i imët, flokëgështenjë dhe e ëmbël, jo më tepër se gjashtë vjeçe. Megjithatë uria, vuajtjet dhe të ftohtët s’kishin mundur t’ia fashitnin bukurinë e fytyrës dhe shprehjen e pafajshme të syve.
Një polic e kish gjetur në rrugë bashkë me të vëllanë. Policit zemërmirë iu dhimbsën fëmijët dhe i solli në spitalin tonë, në Rizario. Këtu i sillnin asokohe të gjithë sa rrëzoheshin pa ndjenja në rrugë nga uria dhe të ftohtët.
I tha kryeinfermieres: «I gjeta të përqafuar në ca rrecka pranë stacionit të trenit elektrik dhe më këputën shpirtin.»
…Ah, ky sheshi i «OMONIAS»! Me shpresën se do gjenin diçka për të ngrënë, mblidheshin aty njerëz të uritur, kockë e lëkurë, nga Athina dhe, sidomos, nga Pireu dhe rrethinat e tij…
Kur pamë policin me dy fëmijë për dore, u zumë aq ngushtë, saqë asnjë s’e hapi gojën. Ç’t’i thoshim? Se krevatet ishin të gjitha të zëna? Se kish raste që fëmijët i vinin pesë e nga pesë nëpër krevate për të mos i lënë në rrugë të vdisnin urie? Se i vinin të shkretët nga të dyja anët e krevatit, por megjithatë, s’kishim më asnjë vend të tillë?
Pa i lëshuar fëmijët nga dora, polici zemërmirë gati sa s’po i binte në gjunjë kryeinfermieres që, edhe ajo s’kish nga t’ia mbante.
– Mbani të paktën vajzën! – lutej polici. – Shikojeni si dridhet… si është zbehur në fytyrë… Është e vogël…
“O zot, si u detyruaka njeriu të tregohet i pamëshirshëm!” – Thosha me vete tek ndiqja nga afër këtë skenë. Me djalin ç’do të bëhej? Me siguri që do ta përpinte rruga, ku do të gdhihej ndonjë mëngjes i ngrirë nga të ftohtët dhe uria.
Tha se e quanin Dino. Ishte një fëmijë rreth të njëmbëdhjetave, kockë e lëkurë. Uria i kish dhënë pamjen e një majmuni të vogël, si shumë fëmijëve të tjerë si ai. Por sytë e Dinos, ata sy të mëdhenj e të kaltër, të venitur, të përlotur e të vrenjtur të mbeteshin në mendje. Në këtë stad të fundit të sëmundjes së urisë, fëmijëve u mbinin në fytyrë ca qime të verdha e, rrallëherë edhe të bardha, në formë pushi, që habisnin edhe vetë mjekët.
Por tek Elenica s’viheshin re shenja të tilla. Fytyra e saj, ndryshe nga e fëmijëve të tjerë, ishte e tejdukshme, e farfurinjtë, si prej porcelani. Flokët ngjyrë gështenjë të çelur i formonin mbi ballë një tufë kaçurrelash. Sytë e bukur si kadife vështronin plot besim rreth e rrotull. Ishte pikërisht kjo shprehje besimi ndaj njerëzve, që të ngulej si thikë në zemër…
Na mbetej pra, të shpëtonim njërin nga fëmijët. Një çast tepër kritik. Duhej të vendosnim se cilin prej tyre do të mbanim në spital. Ishte krejtësisht e pamundur t’i mbanim të dy. Spitali s’mund të siguronte ushqim qoftë edhe për një person më tepër. S’duhej, pra, të humbitnim kohë.
Kryeinfermierja e pranoi propozimin e policit. «Mirë, – tha, – do të mbajmë vajzën,» dhe iu drejtua djalit me pyetjet e zakonshme për plotësimin e kartelës.
– Sa fëmijë jeni në shtëpi?
– Shtatë! – iu përgjigj djali, – Elenica jonë është më e vogla.
– Nga vini?
– Nga Pireu.
– Prindërit i keni?
– Nëna ka zënë dyshekun. Është ënjtur nga uria. Babi është murator. Thonë se ka plevit. Vëllezërit e tjerë ikën nga shtëpia, se kishin uri. Kthehen nganjëherë, por prapë ikin.
Këto tha vëllaçkoja i Elenicës dhe, sa hodhi sytë nga dera, e mbyti ngashërimi… S’donte të largohej, as të ndahej nga motërza e tij.
– Si të kthehem në shtëpi pa Elenicën?! Ne e duam të gjithë. Vetëm ajo na bën për të qeshur. – thoshte duke qarë.
… E morëm në krahë Elenicën, ashtu të lehtë pendë. E lamë dhe e ndërruam. U gjend një krevat i vogël, më i vockël se ajo vetë. Ndonëse e dinte se s’kishte vend për të, djali na hodhi edhe një vështrim tjetër lutës.
– Mund të vish ta takosh çdo pasdite, – i tha kryeinfermierja që ia lexoi në sy pyetjen. – Sa të bëhet më mirë e ta marrë pak veten do ta marrësh me vete në shtëpi Elenicën. Mos qaj kështu.
– Mbamëni dhe mua, këtu është mirë!- lutej Dinoja.
Por, kryeinfermierja, për të mbajtur të qarët (unë e njihja mirë atë) filloi të ngrinte zërin: «Të thashë, – bërtiti me sa kishte në kokë. – Nuk kemi vende! U morëm vesh tani?»
Vëllaçkoja u largua. Fillimisht qëndroi për disa çaste para derës së spitalit dhe nguli vështrimin lart, te dritaret…
Jashtë të grinte veriu. Flokëzat e dëborës ia kishin shtruar një valleje marramendëse. Degët e pemëve rënkonin tek i nënshtroheshin thëllimit të acartë.
Djali qëndroi edhe disa çaste para derës së spitalit, por, kur kalova për së dyti në korridor, vura re se nuk ishte më aty. Kishte ikur…
Elenica do të rrinte me ne.
Sa u ngroh dhe mori disi veten, hapi syçkat dhe filloi të vështronte rreth e rrotull. 0… Zot, ç’vështrim engjëllor, ç’sy të ëmbël fëmije! Ata sy duhet t’u gëzoheshin lëndinave, luleve, zogjve e fluturave e jo të shihnin atë pavijon rrëqethës me fëmijë-skelete, që rënkonin, vuanin apo ishin për në botën tjetër…
Vështronte e hutuar rreth e rrotull. Ende s’e kish marrë vesh mirë se ku ndodhej. Pas pak e nguli vështrimin te ne, infermieret. Ku ta dish! Mbase i pëlqeu veshja jonë, bluzat e bardha. Na buzëqeshi. Kryeinfermierja s’u përmbajt më, por iu afrua krevatit të saj, u përkul mbi të dhe e puthi…
– Pa më thuaj, zoçkë, – e pyeti, – çfarë do që të të sjellim? Thuamë, mos ki frikë!
Elenica hodhi sytë nga ne. Pastaj nga kryeinfermierja. Pastaj përsëri nga ne… sikur përgatitej për të thënë diçka tepër të rëndësishme, një të fshehtë që s’duhet ta dëgjonin të tjerët, përveç shefes sonë… një dëshirë që e mendonte prej kohësh, por që s’guxonte të hapte gojën.
– Hë, zemër, fol! – i dha zemër kryeinfermierja, – dhe unë do të ta gjej.
Ah, çfarë premtimi të guximshëm për gjendjen nxori nga goja përgjegjësja jonë! Dhe sa do të vuante vetë ajo më pas nga ky premtim…
– Më thuaj…!
Atëherë, një zë i dobët, i butë, fare i butë e i mekur, gati si pëshpërimë, tha me dyshim:
– Dua… dua patate të skuqura!… – Një valë kënaqësie i përshkoi fytyrën. – Patate të skuqura! – tha përsëri, duke parë me besim kryeinfermieren.
Vura re se kryeinfermierja u trondit, «Patate të skuqura,» belbëzoi edhe ajo si të qe kujtuar papritur se, vërtet, kishte në botë edhe patate të skuqura… «Patate,» belbëzoi përsëri përgjegjësja dhe pa nga ne me habi, por edhe me shqetësim.
– Po, ku t’i gjejmë se… – tha me zë të lartë, duke na i ngulur sytë neve, infermiereve që, që s ‘ishim gjë tjetër, veçse dëshmitare memece të asaj skene prekëse.
Vërtet, ku do t’i gjejmë? Patate në Rizario! As që mund të bëhej fjalë. Në spitalin tonë gjeje vetëm ushqimet që na sillte Kryqi i Kuq: fasule, pastërma peshku, fasule dhe përsëri fasule apo lakra. Rrallëherë na ndodhej ndonjë kuti qumështi që na dërgonte nga Zvicra Kryqi i Kuq i atjeshëm. Sa për patate… Edhe emrin ua kishim harruar.
Por, megjithatë, Elenica jonë donte patjetër patate të skuqura. Kërkesa e saj e papritur, na vuri të gjithëve në mendime. Na erdhën ndërmend kohërat e dikurshme, patatet e skuqura të shtëpisë, njerëzit e afërm të familjeve tona që kurrë s’kishin menduar se do të vinte një ditë që do t’u shihnin sytë gjëra të tilla!…
Vogëlushja, që tanimë kishte marrë pak guxim, na shikonte në bebe të syrit dhe, me atë zë fëmijëror e paksa të gjallëruar, përsëriste: «Patate dua! Patate të skuqura!»
I sollën lëng groshe, por nuk e hapi gojën. I kish ngelur mendja te patatet. Dhe i kërkonte tani me këmbënguljen karakteristike të një fëmije. E ç’iu desh përgjegjëses ta pyeste se çfarë donte të hante…
Kur erdhi mjeku dhe na pa ashtu të mpira e të hutuara, filloi të nxehej. Ishte i dërmuar. S ‘kish nge për shumë llafe. Tha se dje dhe sot në spital kishin vdekur shumë veta dhe se ai s’mund të bënte asgjë për t’i shpëtuar.
– As ilaçe, as qumësht, as… Atëherë, ç’duhemi këtu ne, mjekët? – i tha i dëshpëruar kryeinfermieres.
I treguam Elenicën dhe historinë e saj të patateve… U ngrys edhe më keq. «Po edhe sikur të kishit patate, vajzës s’duhet t’i jepnit, se do të kalonte në dizenteri, e cila i ka prekur gati të gjithë fëmijët. Qumësht do vajza. Vetëm ai mund ta shpëtojë, – tha mjeku. – Të gjithë këta fëmijë kanë nevojë për qumësht, – përsëriti gjithë mllef.
Ç’t’i thoshim? E dinim që s’gjendej gjëkundi as edhe një pikë qumështi…. Në drekë, para se të largohej nga pavijoni, mjeku iu afrua edhe një herë krevatit të Elenices dhe, me një zë të butë dhe të ëmbël, i tha: «Kur të bëhesh mirë, vogëlushja ime, do të hash edhe patate. Tani, jo! Nuk bën, dëgjove?»
Elenica nuk foli. Pa mjekun, pa edhe një herë këtej nga ne dhe heshti. Vetëm se rrudhi pak buzët. Ishte mësuar ndoshta që e vogël të mos i plotësoheshin tekat. Ku ta dish, mbase qe hera e parë, që në jetën e saj të shkurtër, kërkoi diçka. U gënjye, e shkreta, nga ambienti që i krijuam, nga bluzat tona të bardha, nga buzëqeshja e kryeinfermieres…
– S’ka gjë, – tha më në fund, mbështeti kokën në jastëk e mbylli syçkat.
U larguam edhe ne. Kishim kaq punë për të bërë. Hynim e dilnim nëpër pavijone duke u shërbyer fëmijëve e pacientëve tanë të shumtë. Herë pas here na tërhiqnin vëmendjen zërat e të ardhurve që i luteshin drejtorit t’i shtronte në spital…
– Ku t’ju çoj?- bërtiste drejtori. – Më mbytët, më morët frymën. Qartë po ju flas: Nuk kemi as edhe një krevat të lirë.
– Do presim sa të lirohet ndonjë, – u dëgjua një zë i ndrojtur.
– Që të lirohen krevatet, duhet më parë të vdesin njerëzit, që i kanë zënë. S’mund të detyroj askënd të vdesë, – i tha pikë e vrer drejtori.
Ne e dinim se çdo ditë vdisnin njerëz. Por, sa lirohej ndonjë krevat, zihej menjëherë. Pas dy-tri ditësh patëm përsëri raste vdekjesh. Dhe të gjitha nga i njëjti shkak: rraskapitje, dizenteri, ethe.
* * *
Sa herë më vinte radha të shërbeja te pavijoni i Elenicës, i shkoja pranë. Sa më shihte, vinte buzën në gaz. Një pasdite u keqësua. Fytyra iu bë flakë e kuqe nga temperatura. E kishte zënë dizenteria. Ah, sikur të kishim të paktën pak lëng orizi… Por, ne s’kishim pothuajse asgjë. Oriz?! S’na ndodhej as edhe një kokërr. Edhe ilaçet na ishin mbaruar. Fëmijët e sëmurë na shihnin drejt e në sy, ndërsa ne s’kishim mundësi t’u bënim asgjë. Po, po, asgjë! Veçse t’u mbyllnim sytë. Sikur na kishte braktisur edhe vetë Zoti. E ç’të keqe i patën bërë fëmijët?…
Pasdite Elenicës i erdhi vëllai. Buzët i ishin nxirë nga të ftohtët, ndërsa sytë, ata sy të mëdhenj e të kaltër, i ishin ënjtur e i ishin skuqur nga të qarët.
U ul në një cep të krevatit dhe, tek kalova andej, dëgjova t’i thoshte së motrës: «E di ç’të kam sjellë? Merri, janë karamele qumështi.»
U mallëngjeva. Kushedi sa orë kish lypur nëpër rrugë në atë të ftohtë dhe, me qindarkat që do të kish mbledhur, kish blerë sheqerka për motrën. Elenicës i shkëlqyen sytë dhe e provoi menjëherë, por ato ishin shumë të forta…
– Patate, – tha. – Patate të skuqura dua.
Djali hapi sytë… E motra po kërkonte patate. A ishte në vete? A nuk e dinte se gjëra të tilla s’ekzistonin në këtë botë? Djaloshi e pa gjatë dhe i tha duke psherëtirë: «Je rehat këtu, Elenica! Shtyhu pak më tej që të ngrohem edhe unë! Bën shumë ftohtë. A e di se sa ftohtë është përjashta?
Kur u ktheva përsëri në pavijon, pashë se djali dhe të gjithë vizitorët e tjerë, që kishin ardhur për të parë të sëmurët, ishin larguar. lu afrova Elenicës. Digjej nga temperatura. Fliste përçart. – Patate, patate… – thoshte dhe hapte duart e vogla.
Mjeku erdhi përsëri në darkë. Megjithëse ishte mjaft i ri, ngjante i plakur, i lodhur e i dëshpëruar.
– Si është Elenica? – e pyeta kur po largohej nga krevati i saj. Tundi kokën. «Nëse i vazhdon kështu temperatura dhe dizenteria…»
Te nesërmen, kur e vizitoi, mjeku u vrenjt edhe më shumë në fytyrë e, si u mendua pak, na u drejtua neve, infermiereve:
– Skuqjani pra, ato patate!
– Domethënë, s’ka asnjë shpresë? – pyeti kryeinfermierja dhe psherëtiu thellë.
– Na gjeni dy-tri kokrra patate. Lëvizni, ç’më shikoni ashtu! – na u drejtua neve.
U shtangëm. Ç’t’i thoshim? Ku t’i gjenim patatet? A kishim ne në shtëpitë tona qoftë edhe një gjysmë kokrre? Vetëm pasanikët mund të kishin patate, por edhe ata i hanin fshehurazi, që të mos i shikonin të tjerët.
Kryeinfermierja ish një grua energjike që s’dorëzohej lehtë. Madje, para se të na drejtohej neve, e kish menduar vetë zgjidhjen.
Shkoni, njëra prej jush tek pallati përballë. E njoh zonjën. Bjerini fort derës dhe thojini shërbëtorit se ju dërgon kryeinfermierja dhe se duhet patjetër të takoni zonjën e shtëpisë. Tregojani ngjarjen siç është… I thoni se një fëmijë që ndoshta s’do të jetojë gjatë, na kërkon patate. Shkoni dhe kthehuni shpejt!
U nisa me vrap dhe i rashë derës me sa fuqi pata. E hapi një shërbëtor që më çoi poshtë te salloni dhe më tha të prisja zonjën.
«Do Zoti, – thashë me vete, – nuk vonohet shumë. Do Zoti duron edhe pak Elenica jonë sa të qërohen, të priten, të skuqen.»
Më kish zënë një ankth i madh e s’po më mbante vendi…
Më në fund zonja erdhi. la thashë të gjitha me një frymë.
– Mirë, – më tha. – Nuk kam dhe aq shumë patate, por do ju jap një kile për të sëmurët tuaj.
Urdhëroi një shërbëtor i cili u kthye sakaq me një dorë patatesh.
– Faleminderit! – i thashë dhe ika me vrap në spital.
Zhurmë e alarm në kuzhinë. Të gjithëve u mbetën sytë te patatet. Kuzhina u mbush me aromën e këndshme të patateve të skuqura. Dikujt i ra të fikët. Lajmi se kishin ardhur patatet, kaloi gojë më gojë deri lart tek pavijoni i fëmijëve: «Patate! Poshtë në kuzhinë po skuqin patate!»
Por Elenica po keqësohej nga çasti në çast. Sytë s’mund t’i mbante më hapur. Buzët po zbardheshin. Dridhej nga ethet. Një ndihmësmjek që e vizitoi atë çast, na e shtoi edhe më shumë mërzinë. «Pyetët se ç’ka vajza? E ç’të ketë? Atë që napret të gjithëve. S’dihet a do ta shtyjmë dot këtë dimër edhe ne të tjerët.»
Këtë tha dhe iku. Janë disa njerëz që, në vend të të japin kurajë, të dekurajojnë.
I vajta pranë:
– Elenica! – fola.
Ktheu kokën, hapi sytë dhe më buzëqeshi…
– Po të sjellin patate të skuqura!
…Dhjetëra sy fëmijësh u drejtuan te pjata e bardhë që mbante në dorë kryeinfermierja.
Elenica hapi sytë e ngazëllyer. «Ah!», tha duke buzëqeshur. Ngriti pakëz kokën nga jastëku dhe zgjati dorën e vogël…
Por, oh! Koka iu var, fytyra iu zbardh si qiriri, buzët iu mavijosën si vishnjat e pjekura dhe hije mavi iu formuan rreth syve.
– Elenica! Elenica! – i thirri kryeinfermierja.
Kishte humbur ndjenjat… Ne, dy infermieret që ishim aty pranë, vrapuam te krevati. Dora e saj e vogël mbështetur mbi çarçafë kish mbledhur shuk një grusht patatesh të skuqura. Nuk donte t’i lëshonte. Hoqi frymë thellë. Agonia qe e shkurtër. Patatet mbetën të mbledhura në grusht. Nuk arriti t’i çonte në gojë…
Shqipëroi: Anthulla Kristo
