Tregim
Të nesërmen kishim festën e Shëngjergjit: Të gjithë në shtëpi ishim të gëzuar, e para e punës pse Kalorësi shenjtor ishte mbrojtësi i familjes s’onë; e dyta pse të tërë shërbëtorët e bujqërit na kishin dhënë fjalën se do të rinin tek ne edhe gjatë stinës së verës e kështu nuk çqetësoheshim as nuk mendonim më për të gjetur të tjerë si na ngjante kjo zakonisht në kohën e Shënmitrit dhe të Shëngjergjit. Por gëzimi i ynë më i math ishte se prisnim të na vinin në gosti shqiptarë, miqt të babajt, për të forcuar miqësinë e vjetër me vëllamëri të reja.
Prisnim pra të na vinin vllamërit e babajt, Jashar Agaj nga Vashareni me të birin Fejzi, Sulejman Marini nga Libohova me të birin Myrto, Jashar Boxhini nga katundi Buxha me të birin Tafil, Abdyl bej Selimi nga Delvina me të birin Memo, edhe Abdyl Demo nga Filati me të birin Xhafer, – të gjithë burra të besës e të nderit, pa zënë në gojë trimërinë dhe fisnikërinë e tyre. Shkaku që na vinin në gosti këta shqiptarë të çquar me djemt e tyre n’atë ditë të shënuar, ishte pse të tërë ishin takuar me t’im at para Pashkëvet në Korçë dhe kishin hedhur në llotari se në cilën shtëpi do të mblidheshin për të bërë vëllamëri të reja. Shorti na kishte rënë neve.
Porsa u-kthye babaj nga kisha, porositi t’i dërgonin nga stani dy shqerka edhe dy kecka nga më të majmet: të parat për gjellërat dhe të dytat për t’i pjekur në hell. Veç kësaj ay porositi që t’i sillnin edhe qumësht për të bërë djathë taze edhe të gatuante nëna qumështorë edhe ëmbëlsira të ndryshme sa më tepër. Prindërit mendonin të kishin në sofrë gjellëra të shumta, sepse, veç miqvet, bashkë me ne do të hanin atë ditë edhe shërbëtorët e shtëpis pas zakonit të vjetër të stërgjyshervet.
Gjer sa t’i mbaronte babaj se theruri dhe se rrjepuri shqerkat e keckat (ay kishte një shkathtësi të çuditshme për këtë punë: mbrenda një ore mund të therrte dhjetë desh), miqtë shqiptarë ja mbrritën, disa hipur mbi kuaj me shala të qëndisura për bukuri, të tjerë mbi mushka të reja, t’ ushqyera mirë e ishin aqë të hijëshme sa që s’i largonim dot sytë. Nëna dhe unë bashkë me shërbëtorët ishim të parët që u thamë mirëseardhjen edhe me nderime të posaçme i shpumë në dhomën e madhe. Këtë i kishim shtruar me qilima të kushtuara të sjellura nga im at prej Pergamit t’ Azisë së Vogël.
Në këtë kohë unë kam qenë nj’a shtatëmbëdhjetë vjeçar, i shëndoshë dhe i paisur me dituri të mjaftuar në krahasim me këto anë gjysmë të pazhvilluara, si ishin atëhere. Edhe djemt e miqve t’onë nuk ishin më të vegjël se unë, por në krahasim me mua ata ishin të paditur: dinin vetëm të këndonin dhe të shkruanin edhe pak arithmetikë në greqishten. Unë gadi kisha mbaruar gjimnazin edhe dinja frëngjisht, ënglisht dhe turqisht. Miqt e rinj ishin të veshur me rrobe shajaku krejt të bardha, me qeleshe të bardha mbi krye, të mbathur me opinga qoseleje të kuqe dhe me një bres të kuq përmezi. Mbi këtë brez mbanin nga një çifte revolesh t’ ërgjenda. Përsipër brezit të kuq thurej një ryp lëkure që mbaronte me dy toka t’ ërgjenda e shumë të bukura dhe përanësh vareshin paloska të punuara me shije të madhe e të lara n’ ar. Unë isha i veshur thjeshtë me rrobe qytetari e midis atyre dukesha si dhija midis dhenjvet.
Deri sa pa ardhur im at, miqtë më pyetnë për shumë gjëra, sidomos për politikë edhe mahniteshin me përgjigjet aq shumë të peshuara që ua jepte një djalth, që s’i ishin djersitur as mustaqet. Ja mrijti dhe babaj: ay u përqafua me miqtë edhe një nga një si prind i puthi të rinjtë. Pastaj unë i mora të pes’ djemtë, kaluam përmes fshatit dhe u-ndalmë te kisha, ku kishte pemë të mëdha arre me hijeshira të gjëra. Këtu u-njojta më mirë me këta të rinj, që ishin edukuar mjaft mirë pas traditavet të tyre të shenjta familjare. I tërë kuvendimi u-suall rreth ndodhinash heroike, të cilat mua nuk më ngjallnin asnjë interesë. Përkundrazi, miqtë e mij habiteshin për trimërinë t’ime, kur u tregova si kemi zbuluar një natë dhjetë hajdutë, që msyjtën stanet për të vjedhur delet e se si i kemi ndjekur n’ errësirë përmes pyllit m’atë anë të lumit ose se si kisha vrarë një ujk të tërbuar, që ishte hedhur mbi mua e të tjera ngjarjesh të tilla. Mandej shtimë në nishan, sprovoheshim në të kërcyer në tri hapa edhe hidhnim gurrë. Në të trija sprovimet nuk mbetesha prapa. Atëherë njeri prej tyre, Tafil Boxhi, më tha:
– Oj trim! Të lutem hidhi këto rrobe allafrënga edhe vishi poturet e bardha gege, sepse nuk mund të shikoj të veshur kështu. A di, bre, se është mëkatë, një trim si ty të vishet ashtu si një djall i zi!
E kuptova edhe unë se midis tyre unë s’kisha asnjë hije me atë veshje; u-ktheva në shtëpi edhe me një herë vesha rrobet shqiptarçe, të bardha si bora. Miqt e mij u-kënaqën shumë. Pas pak shtuam sofrën të pasur me gjellëra edhe me pije. Pas buke mori fjalën Jashaj Agaj, si më plaku i të gjithëvet, edhe tha:
– Etërit t’onë ishin miq të betuar me gjakun e tyre, prandaj edhe miqësia e tyre na u la ne amanet dhe u betuam përpara tyre me gjakun t’onë se do të rronim si vëllezër të vërtetë. Sot patëm fatin të shohim bijt t’onë të rritur, por duhet t’i shohim që të betohen përpara nesh me gjakun e tyre se do t’a ruajnë me çdo therori miqësinë e prindërvet…
Ne djemtë me një herë u-ngritmë në këmbë dhe kryqëzuam duart. Atëhere im at na pyeti:
– A betoheni?
– Po, betohemi! – u-përgjegjmë që të gjashtë me një zë. Atëhere Abdyl Demo nxori nga brezi i vet një thikë të gjatë e të mprehtë edhe me majën e saj çpoi damarin e dorës së djathtë të secilit prej nesh, pikërisht aty ku mbyllet bërryli nga pjesa e mbrendëshme: gjaku filloi të rrjedhë edhe bashkohej te një legen i madh. Në këtë mënyrë u bëmë vllamër. Prindërit na puthnë me radhë edhe na uruan që të mbetemi kurdoherë të dlirët e të dashur. Pastaj u-puthmë edhe njëri me tjetrin, u-puthmë duart prindërvet dhe çkëmbyem për kujtim të betimit nga një revole.
– Gjakun, gjakun! – thirri nëna ime.
Jashar Boxhi ia dorëzoi legenin me gjakun mbrenda: mëma e mblodhi ashtu si ishte i trashë dhe i kuq në një shami të mëndafshtë, e lidhi dhe, dyke bërë kryqin, hipi mbi një karekllë dhe e vendosi shaminë me gjakun te ikona e Shënmërisë.
Pas betimit ne djemtë muarmë pushkët edhe duallmë në mes të fshatit, u-ulmë dhe filluam të kallzojmë ndodhira të ndryshme. Fjalë pas fjale Myrtua na pyeti:
– A e dini si bëheshin dikur këto vllamëri?
– E dij! – i u-përgjigja unë. – Bëheshin dyke kaluar përmes vdekjes.
Të tjerët nuk më kuptuan.
– Si kalonin përmes vdekjes? Si bëheshin dikur? – pyetnë disa.
Myrtua ua shpjegoi:
– Ashtu si u-bëmë ne sot vllamër, mund të bëhen edhe mulxhinjtë, madje dhe gratë!
Kur dëgjoi këto fjalë i biri i Abdyl beut, Selimi, u-ngjit e tha:
– Në qoftë se puna qenka kështu, unë heq dorë nga vllamëria e soçme.
– Edhe ne heqim dorë! – pohuan të katër të tjerët.
– A doni të mbetemi vllamër edhe të kalojmë përmes vdekjes? – i pyeta unë. – Por duhet ta dini se njëri prej nesh duhet të vritet edhe ajo që duhet të bëjnë të gjallët është që ta vajtojnë si vlla.
– Kush trembet nga vdekja, ay është grua, – shtoi i biri i Jashar Agait, Fejziu.
– Merri fjalët prapa, – kundërshtova unë. – Mos na i poshtëro kështu nënat dhe motrat t’ona edhe gratë, me të cilat do të martohemi nesër pasnesër. A e shëkon atë mal atje tej? Para dy vjetve atje nëna ime me gratë e tjera të këtyre fshatrave tërë ditën luftuan me Sulejman Tahirin dhe e mundën… Edhe nëna jote t’ishte në vend të nënës s’ime, jam i sigurtë se do të bënte po atë gjë…
– Ke të drejtë! – tha Fezjiu. – Më fal. E vërteta është se trimëria nuk njeh burra e gra. Këngërat t’ona popullore janë plot me ndodhira heroike të kryera nga gra, si për shembull suljotkat, që luftuan me Ali Pashën e Janinës.
Që të ndërpresim kuvendimin e ndërkryer, Memua i Abdyl bej Selimit tha:
– Pse flisni më kotë? Thamë se vllamërja e soçme nuk vlen për ne… kjo është e pavend! Ashtu e bëjnë të gjithë që… A doni vllamëri burrërore dhe heroike, nj’ashtu si na e shpjegoi Myrtua dhe miku tjetër? Ejani pra ta bëjmë… Ay që nuk don, të largohet!…
– Mere këtë punë ti përsipër që ta mbarojmë sa më parë, – më tha Fejziu. – Deshëroj ta pres vdekjen heroikisht, që të tregoj se nuk më trembet syri aspak prej saj.
– Mos e ndjell vdekjen, që të mos i mbyllish sytë që sot e përgjithmonë! – e cyti Memua.
Prej shtëpisë më t’ afërme muarmë një tepsi të madhe, mbi atë vumë një mangallë me qymyr të ndezur dhe të tërë ndejtëm rreth e përqark. Myrtua vuri revolen e ndezur mbi tepsinë, e cila rrotullohej nga e majta në të djathtën, ndërsa ne ia filluam këngës, por një kënge të përmortshme.
Tepsija rrotullohej si një gurr mulliri, kënga vijonte melankolike edhe revolja e tmerrëshme akoma nuk shkrefte! Përnjëmend kujtuam se Myrtua e kishte vënë mbi zjarr revolen të zbrazur, por sa pa na shkuar kjo mirë nga mendja e ashtu si ishim të përqafuar njeri me tjetrin, u dëgjua një krismë e frikëshme: Revolja kërceu nga tepsija edhe vdekja me kosën e saj, e hipur mbi kal të zi qëndroi përpara meje edhe me majën e kosës më qëlloi në dorën e majtë! Gjaku filloi të rjedhë përmes robevet të mija të bardha edhe një dhemkë e madhe ma drodhi tërë trupin. Myrtua me një herë nxori nga xhepi një shami të pastër, edhe ma lidhi plagën, pastaj të gjithë u përqafuam dhe u-puthmë përsëri me dashuri të vërtetë e u betuam për mbi dorën e përgjakur për miqësi të përjetshme.
Dyke kaluar përmes vdekjes pra u-bëmë vllamër të vërtetë.
1916
Shqipëroi: P. Begu
Marrë nga: Hristovasilis, Hristos, ‘Vllamërija’, Vatra shqiptare, 33-34/1943, kallnor–shkurt, 1943, f. 15-16 .
Të dhëna biobibliografike:
Nuk evidentohen shqipërime të tjera të autorit të botuara në periodikun shqiptar.
Shënim: Emri i autorit shqiptohet [Khristos Khristovasilis]. Emri i autorit është katalogizuar dhe si: Hristos Hristovasilis.
Shqipërues i veprës së autorit është: P. Begu [pseudonimi i Sterjo Spasses].
Emri greqisht: Χρήστος Χρηστοβασίλης.
Titulli i origjinalit: ‘Κι’ όποιον εύρη ο θάνατος’.
Christos Chistovasilis (1862-1937), nga Suli i Janinës, shkrimtar, gazetar dhe përfaqësues i letërsisë bukolike, figurë e njohur e letërsisë së Epirit. Tregimi është botuar me shkurtime. Revista vlerësonte më shumë subjektin e tregimit të shkrimtarit (me temë shqiptare), pasi “novelat e tija nuk kanë fuqi arti”, vërente shprehimisht.
