TREGIM
Atë dimër erërat e jugut sillnin re, por jo pareshtur. Çdo ditë për disa orë qielli kthjellohej pakëz. Kjo ndodhte ndaj të ngrysur. Kur dielli i artë sa më s’bëhet, si mjaltë vezullues, derdhej mbi portin e vogël, mbi peshkatoret që lëkundeshin plogët në të, mbi varkat e batuara, nëpër rrjetat e hapura të peshkatarëve që po thaheshin, mbi detin që dremiste, mbi njerëzit që silleshin sa andej këtej, pale pse. Gjatë natës koha do të prishej sërish. Këtë e kuptoje nga pulëbardhat që fluturonin ulët dhe gërvishtin detin me flatrat e tyre duke klithur me një trazim të pashpjegueshëm. Dhe vërtet, pas pak vinin sërish retë duke e shtuar edhe më shumë errësirën e natës, aq sa angështohej shpirti i njeriut.
Kështu pra, ndërsa Ylli i Mbrëmjes përleshej me retë, burri në fjalë u fut në tavernën e vogël, duke u lëkundur sa andej këtej, si anijet me vela në det të trazuar. Ishte i shkurtër dhe shëmtarak, mjaft i shkuar në moshë, i veshur keq dhe i papastër, me një shami të përgjakur rreth kokës – që me siguri sapo e kish çarë. Edhe hundën e kishte në pikë të hallit, të çjerrë, të ënjtur, të mbuluar me pllanga gjaku. Ose qe rrokullisur gjëkundi ky sherrbudalla, ose kishte ngrënë dru, e kishin zhdëpur, e kishin bërë për ujë me kripë.
Tani a ishte tapë kur e hëngri drurin, a rrëkëlleu ca gota më mbrapa për të mbytur me verë sëkëlldinë e sherrit, këtë s’e dimë. Ama është e sigurt se kur u fut në tavernë ishte bërë xurxull, bile po mbante në dorë diçka të mbështjellë me letër, duhej të qe ndonjë gjë për të ngrënë. E pra, bëri përpara në drejtim të banakut duke përshëndetur me përzemërsi dy tavolinat që ishin me njerëz në atë kohë në tavernë. Por asnjëri s’ia ktheu përshëndetjen. Në të parën qenë ulur nja dy zdapa, të cilët ishin shumë të zënë me vajzat që kishin në krah dhe s’kishin nge për muhabete pa bereqet. Sa për ata të tavolinës tjetër, ata po pinin verë, të ngrysur e shumë të vrazhdë; kishin, me sa duket, hallet e tyre. Ç’të bënte atëherë dhe ai? Porositi një brokë me uzo dhe zuri muhabet me të zotin e tavernës, se Perëndia e kish bërë njeri të shoqërueshëm, shumë të afrueshëm, heshtja dhe maturia s’i shkonin aspak për shtat. Madje e tha mendimin e vet me zë të lartë, ta dëgjonte gjithë bota:
– Kush nuk flet, është i vdekur dhe e shtien në varr!
Vuri pakon e mbështjellë me letër ambalazhi mbi banak dhe nisi të zbrazte brokën në dy gota uji, duke qenë tmerrësisht i kujdesshëm se mos binte ndonjë pikë më shumë te njëra gotë, sesa te tjetra. Pasi e përfundoi ndarjen në mënyrë të drejtë, mori gotën e parë dhe e piu, piu dhe të dytën, iu kënaq shpirti dhe ia nisi një alamet bisede me të zotin e tavernës. Por ngaqë tavolina jonë ishte goxha larg, asnjëri nga ne nuk ia vuri veshin, le që kishim edhe ne muhabetet tona për të bërë, që ishin shumë serioze dhe aspak qesharake. Pothuajse e kishim harruar edhe atë edhe turinjtë e tij të thyer, edhe pakon e mbështjellë me letër ambalazhi, edhe dehjen, edhe muhabetin e tij. Kur papandehur na tërhoqën vëmendjen disa fjalë me ton të lartë:
– Jo, zotëri, nuk e duam sajdisjen tënde!
– E pse domethënë? Unë u nisa me qëllim të mirë…
– Lëri llafet dhe zhduku! Na je bërë morr.
Keqkuptimi kish ndodhur me tavolinën tjetër, të cilën deshi ta sajdiste sherrbudallai, kushedi pse. Mbase ngaqë vera e bëri shumë të shoqërueshëm, të gatshëm për të këmbyer muhabet sa për të shkuar kohën me kë t’i dilte përpara. Ose mbase i pëlqyen vajzat dhe donte të dukej. Por dy zdapat e morën tjetër për tjetër, ndaj filloi sherri. “Ju lutem zotëri!” dhe “Të më ndjeni, por, sidoqoftë, nuk jeni hiç në rregull! ” Madje njëri nga të dy –njeri gjaknxehtë– u ngrit për një çast dhe i tha fjalë të rënda të cilat paralajmëronin dajak. Vajzat bërtitën: “Manoli! Pash Shën Mërinë!” U fut në mes dhe tjetri që ishte më gjakftohtë dhe çështja u quajt e mbyllur.
Sherrbudallai u largua pa zhurmë drejt banakut, ku po e tërhiqte nga mënga i zoti i tavernës duke i thënë me një ton tepër autoritar:
– A e pive uzon, Panajotaq? Paguaj dhe mbathja! Nuk dua ngatërresa në tavernën time!
Panajotaqi sikur e mblodhi mendjen të qetësohej, por për të ikur as që bëhej fjalë. Donte, medoemos, të hapte zemrën, të tregonte brengën që e mundonte, të fliste me një njeri. Të mos e donte askush, të mos e kuptonte njeri, ta zbonin të gjithë – ç’ ishte kjo e keqe që e kishte gjetur!
Përpos kësaj, ai ishte një njeri nga më paqësorët. Çmbështolli letrën e ambalazhit, nxori dy oktapodët që kishte në të, i pa mirë e mirë dhe deklaroi se kishte çdo të drejtë që t’i gatuante e t’i hante duke i shuar me verë të bollshme, se oktapodi nuk gatuhet pa një gotë verë dhe pa një të dytë nuk tretet. Νisi, pra, të bënte ujdi me të zotin e tavernës për t’ia gatuar oktapodët dhe ai t’i hante këtu ku ishte, domethënë t’i hanin të gjithë bashkë, ngaqë ai nuk i kishte punët mirë me vetminë, njeri që endej rrugëve kishte qenë gjithë jetën. Por i zoti i tavernës e kundërshtonte me të madhe. Tërësisht e pamundur! Fufulja ishte e zënë se po piqeshin vopat, pastaj do të skuqte patate, më vonë do të vinin myshterinjtë dhe do porosisnin gjëra të çastit: mëlçi, barbunj, fërgesa.
– Kërko ç’të duash, Panajotaq, veç këtë jo!
– Domethënë nuk e kam të drejtën të ha edhe unë një meze si njeri –ja këta oktapodët e mi– dhe të pi verën time si njeri paqësor që jam?
– Nuk bëhet, Panajotaq! – ia ktheu tjetri prerë. – Shko te Eftalia të t’i gatuajë. Dhe hajde, ik nga taverna, nisu se kam punë. Do pllakosin myshterinjtë.
Sherrbudallai heshti, sikur ta kish kuptuar se s’bëhej gjë, dhe se duhej ta mblidhte mendjen. I mbështolli oktapodët me letrën e ambalazhit, i vuri nën sqetull dhe u nis për nga dera. Por pezmatimi po e mbyste. U kthye dhe ia nisi nga e para një fjalimi tjetër.
– Te Eftalia… Shko ti që t’i thuash Eftalisë të t’i gatuajë! Ti, që s’të ka burrë… Unë, domethënë, nuk e kam të drejtën të ha një meze, të pi një gotë verë?
Vonë e kuptoi se fliste më kot, se i zoti i tavernës kishte ikur në kuzhinë. Ngriti atëherë supet dhe u nis përsëri për nga dera. Por duket se nuk i bënte zemra të shkulej kollaj nga taverna. Kur kaloi para tavolinës sonë, qëndroi për një çast. Donte muhabet.
– Ka ndonjë cigare?
Asnjë përgjigje. E pamë se ç’ rrodhe ishte, po t’i flisnim nuk kishte për të na u shqitur. Po ai vazhdonte.
– Dua cigare!
– Nuk kemi, – i thotë Agleura.
– Si nuk keni, ju po pini cigare!
Ishte dhe i pacipë.
– Ik tani! Hajt të priftë e mbara! – i thotë kapiteni, – dhe na lër të qetë. Dëgjon?
Kjo s’i pëlqeu mikut. Mori menjëherë një pamje prej kapadaiu, provokuese, prej garipi. Dhe foli keq:
– Domethënë, ngaqë ke dy shirita e gjysmë në mëngë, na bën sikur kushedi kush je?
Kapiteni buzëqeshi nën mustaqe. Po Agleura u ngrit, e rrëmbeu Panajotaqin nga shpatullat dhe thjesht, me vrazhdësi, po pa shamata e nxori nga taverna. E nxori, nuk e flaku përjashta. Çdo gjë u bë me mirësjellje dhe mirëkuptim, siç i takon t’i sillesh një të dehuri, një njeriu pa logjikë. Edhe ai nuk solli asnjë kundërshtim, një tutës ishte, vetëm fjalë kishte asgjë më tepër. Një fukara, që e zinte vera paq, e bënte të fliste kodra pas bregut, pa u menduar.
Agleura u kthye dhe u ul prapë në vendin e tij. Ishim që ishim qejfprishur që në fillim, po tani edhe ai pak qejf që na kish mbetur, na iku. Nuk po vinte as makina, që të ikte secili në punë të vet. Tashmë kishte rënë nata, ishin kthyer përsëri retë, qielli qe nxirë qe bërë sterrë, po ashtu edhe deti. Mezi dalloheshin direkët e peshkatoreve që lëkundeshin ngadalë sa nga njëra anë në tjetrën në qiellin e vrenjtur, si metronomë që harmonizonin ritmin e erës me atë të ujërave. Duhet të binte edhe një shi i imët, por ne nuk e shihnim prej andej nga ishim ulur. Ama nga deti vinte era e jugës së lagësht, edhe dheu i lagur lëshonte erën e tij.
Dhe ja, pa kaluar mirë as tri minuta, u shfaq përsëri te dera. U mat të futej prapë brenda, ngaqë pijen e kishte xanxare, s’i dilte kollaj, asgjë s’ia ndryshonte dot humorin. Por u çuam të gjithë njëherësh, tavolina jonë, tavolina tjetër, i zoti i tavernës:
– Këtu prapë ti? Jashtë! Jashtë! Ik që këtu! Ik në shtëpi! Pijanec! Fytyrë e poshtër! Rrodhe! Morr! Morr!
Kjo ndodhi me ndershmëri dhe në mënyrë të vetvetishme, na e kishte sjellë në majë të hundës, i paudhi! Aq sa u habitëm ne vetë me sjelljen tonë, po aq u habit edhe ai. Zemërimi u zbraz mbi të, e goditi në gjoks, e ndaloi, e zmbrapsi. Mbeti pa lëvizur me oktapodët e mbështjellë në dorën e majtë dhe hodhi një vështrim plot frikë rreth e rrotull. Fytyrat tona duhet të kishin qenë aq të egra saqë u tremb.
– Mirë…,- tha nëpër dhëmbë, – Mirë! Do t’ iki. Meqë s’më doni… Po ku të vete se? Ku? Te Eftalia? Një fjalë goje është. As ajo nuk më do, ashtu si ju. Asnjë! Asnjë… E zuri një ngashërim dhe shtriu dorën me të cilën mbante oktapodët:
– Ja! Këta oktapodë të pjekur në prush…Të gjithë bashkë do t’i hanim. Një meze dhe një gotë verë. Edhe unë si njeri. Si njeri…
Na vështronte dhe priste mirëkuptim, siç pret çdo njeri nga njerëzit e tjerë. Por përballë kishte vetëm fytyra pa asnjë shprehje, sy plot egërsi dhe ligësi. Ligësi njerëzore.
Atëherë e kuptoi. E kapi një lloj ligështie, gjithçka brenda tij u thye. Dora që mbante dy oktapodët mbështjellë me letër, një ofertë e kotë në këmbim të mirëkuptimit njerëzor, ra poshtë e pafuqishme. U kthye ngadalë, doli përsëri nga taverna, ra si plumb nëpër shkallë dhe mbeti atje pa lëvizur, me kokën e çarë mes duarve. Nuk foli më, nuk tha asgjë, por e bashkoi shpirtin me terrin e jugës, e mbuloi me re, e mbështolli me frymën e ostrisë dimërore.
Sa për ne, ulëm sërish kokat mbi gota, mbi gazeta, në bisedat tona, pa kuptuar, pa dashur të kuptonim. Kaloi kështu mjaft kohë, mbase dhjetë minuta, mbase edhe plot një çerek ore. Dhe kur ngrita sytë dhe vështrova nga dera, atje ku ishte ulur, nuk e pashë më. Kishte ikur, u largua nëpër natë, kushedi se për ku, të gatuante oktapodët e tij, të pinte një gotë verë, si njeri. Si njeri, pikërisht…
Shqipëroi: Mirela Xhaferraj
