Stavri J. DAJO, Bisedë me të birin e Charl Chaplin-it, Michel Chaplin

Në nëntor 2001 u ndodha në Qipro, në një takim ndërkombëtar për vepren e pabotuar të Nikos Kazanxaqit. Kishin ardhur profesorë, përkthyes të shkrimtarit të madh, dashamirës të shumtë nga shumë vende të botës, lexues, nxënës ….. Midis tyre u ndodh edhe i biri i figurës më të madhe të kinematografisë botërore, Charl Chaplini-it, Micheli, admirues i shkrimtarit grek. Natyrisht, shumë shpejt ai u shndërrua në epiqendër të bisedave dhe monopolizoi kuriozitetin e gjithkujt. Të gjithë donin ta shikonin nga afër pinjollin e kësaj figure përrallore, t’ i jipnin dorën, ta dëgjonin. Rrallëherë godet në jetën e njëriut t’ i krijohen raste të tilla, të ndodhet pranë idhujve, për të cilat, para ekranit, krijon bindjen se nuk janë, veçse figura iluzore, krijesa artificiale të teknologjisë, ireale, tej kësaj bote të prekshme, imagjinarë e jo njërëz prej mishi e kocke, vdekatarë si gjithkush, madje me cene e huqe. Por ishte e vështirë ta takoje, aq më tepër t’ i kërkoje intervistë. Por, kur gjeta rastin, i thashë se vija nga Shqipëria dhe se, lidhur me të jatin, kisha një surpizë për të, por…. Shqipëria, surprizë për Charl Chaplin-in?- nënqeshi me dashamirësi. Po, – i thashë serioz. So, let’s have a lunch together, tonight. Nuk u besova veshëve. Po, bashkë. Dhe tok me ne edhe disa miq qipriotë, njërëz të thjeshtë, jo zyrtarë, në një bisedë të shtruar, pa protokoll. Ndjeva të lehtësuar dhe një lumturi miturake. Sepse do të bënim një bisedë të qetë, jo para mikrofonave dhe magnetofonave të gazetarëve që, thënë njëmend, janë një pushtet mbytës në raste të tilla. Në takim erdhi në orën e caktuar, pa asnjëçikë vonesë. Bashkë me të shoqen, një mulate nga Irlanda, piktore.

Michel Charl Chaplin-i nuk i ngjan kund të jatit, paçka se ka po atë shikim zhbirues, dritëshumë e të mprehtë. As në karakter. Nuk është tekanjoz, si i ati, nuk është tip i vështirë e i ndërlikuar. Ka mbushur të pesëdhjetë e katrat, rënë pasioneve çmendurake të rinisë, shkuar iluzioneve, zhgënjimeve romantike të fëmijërisë së vonë … Madje, si personalitet, siç e pranon edhe vet, u formësua që në të ri, kur kalonte pragun e shtëpisë për të mos u kthyer kurrë si ai biri plangprishës, madje pas një zënke hidhërake me të jatin. Herët, rrëfehet, siç është e natyrshme, desha të ndiqja gjurmët e tim eti, por, pa më thënë gjësendi ai, e kuptove kotësinë e planeve të mia. Nuk kisha talent. Ndaj u bëra ….. fermer. Flet shumë serioz, pa pikë patosi, saqë nuk e beson se ai tip i shtruar, bablok është i biri i atij “kopuku” ojnak rrecka rrecka që ecte dredhas e kryengulthi dhe ngatërronte dynjanë me prapësitë e tij. Jetova vite të tëra në Francë, si fermer, por pas një momenti, duhet të kthehesha në vatren atërore, në Vevey të Zvicres. Tani jetoj mes një pylli të dendur, aty ku pata kaluar vitet e rinisë sime të parë. Tani, pas dështimeve, shkruaj vepren e parë dramatike. Palë….

Mua më tremb fakti i të qënit djalë i një figure të tille mitike, i them, më tremb vërtet. Është si një pushtet nën peshën e të cilit jeton përditë, të ushtron trysni, të mbyt…

(Më mbërthen sytë dhe më shikon ngultas.) Ke shumë të drejtë. Por në jetë ekziston edhe ana e mirë edhe ana e ligë. Ana e mirë ishte fëmijëria ime e privilegjuar. U rrita në një shtëpi të bollshme në pyll, me një lulishte marramendëse. Figura e njohur e tim eti, tërhiqte vëmendjen e bashkëmoshatarëve të mi, të cilët më shikonin me habi e me sy tjetër dhe unë atëherë besoja se kjo do të ishte një mrekulli e përjetshme. Por, më vonë, kjo mrekulli u shndërrua në ankth, në peshë, në barrë, në një makth që më mbyste dita ditës, në një mund që isha i detyruar gjithmonë ta mbartja me vete. Ndaj, me të shkelur të gjashtëmbëdhjetat, ia mbatha nga shtëpia… Im atë në jetën private ishte i rreptë, mjaft i rreptë. Donte, medoemos, që fëmijtë e tij – dhe ne ishim shtatë – të shkolloheshim se besonte verbërisht në institucionin e dijës, ngaqë vet nuk mundi kurrë të shkollohej e t’ u përkiste salloneve luksoze. E dini, rridhte nga një familje modeste, pa pasje e pa shumë kulturë. U rrit në skamje dhe për t’ i shpëtuar asaj besonte pothuajse absolutisht se e vetmja rrugë ishte mendimi i pavarur, dija krijuese. Madje, dija, sipas tij, ishte streha më e sigurt për t’ u mbrojtur nga të hequrat e kësaj jete, siç thosh ai. Kjo, më beso, me kalimin e kohës më mbyste. Ishte tragjike, im atë nga njëra anë besonte tek mendimi i pavarur, dhe nga ana tjetër donte të shkonte e tija. E pra, kjo më mbyste, dhe, për të gjetur sadopak vetën, ika…

Një përplasje e tillë me të jatin, që në këtë moshë, madje kur i jati nuk është dokushdo, por Charl Chaplini, përbën, më falni, një bëmë, një akt rebelezmi.

Hm? Aventurë? Jo, jo. Marrëdhëniet e mia me të nuk ishin dhe kaq të mbara. Të thashë. Jeta e tij profesionale dhe detyrimet e përditshme e largonin nga shtëpia dhe mua më dukej se ai ekran që zbaviste e zbavit miliona njërëz, për mua ishte një mizor, se më grabiste tim atë, ma rrëmbente nga shtëpia. Unë e mbaj mend tim atë si një baba të brishtë, të ndjeshëm e me patos, paçka se jo rrallë përplasesha, madje kacafytesha keqas me të. E dini, është e rrezikshme kur i njeh njërëzit nga afër.

Po, po. Ju kuptoj drejt. Është vërtet e rrezikshme kur i njeh nga afër miqtë, shokët, palë mandej figura të tilla vigane që nuk i nxë globi. Është si puna e diellit që kur ndiçon botën, i nxjerr në shesh dhe të palarat. Shpesh zhgënjehemi me atë që na shohin sytë, kur u besojmë vetëm veshëve.

Deri diku, po. Punova me tim atë në xhirimet e filmit “A king in New York”, më pat dhënë, madje, dhe një rol. Eh, kohë të mrekullueshme! Edhe unë, siç ju thashë, desha të ndiqja gjurmët e tim e ti, por e pashë që s’ kisha talent. U binda se po bëhesha aktor me përdhunë, vetëm se isha bisk  i Chaplinit. Dhe bëra atë që më diktonte ndergjegja. Fatmirësisht, se sot do të isha shërbetor i dikujt, puthador, njëri i oborrëve. Dhe unë nuk e desha një gjë të tillë.

Pajtohem plotësisht me mendimin tuaj për diktatin e ndërgjegjes dhe diktaturën e të tjerëve. Madje, unë besoj se njëriu nuk duhet të veprojë asnjëherë kundër ndergjegjes, madje edhe kur këtë e lyp atdheu, se nesër mund të pendohet dhe t’i bëjë keq si dhe vetës dhe atdheut… Por nuk desha të pyesja për jetën tuaj private, se ndoshta ….

Unë do të shtoja se gabimet janë njërëzore ndërsa ndjesia e tyre hyjnore, sublime. Në jetën private im atë ishte një gjuajtës i grimcave humoristike, kërkontë ngulmueshëm karaktere, skena, episode që t’ i përdorte në artin e tij. Ishte krijues. Na zbaviste kudo, se kishte një humor burimor dhe jo të kërkuar e shtinak. Kjo duket në çdo sekuencë të tij.  Donte dhe respektonte pa masë time më, Oona O’ Neil-in. Jetuan të pandarë plot 35 vjet, gjer ditën kur im atë iku nga kjo jetë.

Më falni, por unë kam lexuar gjëra krejtësisht të kundërta me këtë që më thoni, madje, për një njëri me jetë private plot skandale… Si ka mundësi?

Im atë ishte një figurë e vështirë dhe e komplikuar. Herë pas here i pakodifikuar. Ishte vështirë të bashkëekzistoje me të e akoma më e vështirë të bashkëpunoje në jetën profesionale. Nuk bënte kompromise në jetë, ndaj pati shumë armiq e kundërshtarë. Por nuk ishte i padrejtë, me gjithë jetën e papanë të tij. Jetoi një jetë të kamur, ai e mirësia vet, në ndjenja, në suksese, në dështime. Por, megjthatë, nuk u bë kurrë viktimë e pasioneve dhe, akoma më keq, nuk mund të identifikohet me rolin e “horrave” që interpretonte në skenë. Jetoi sipas lirisë së ndergjegjes së tij dhe jo sipas diktatit të të tjerëve. Por ka shumë mundësi që në jetë të ketë bërë dhe gabime.

Vërtet, po ajo akuza dhe thashathemnaja e famshme e të qënit komunist është e vërtetë apo duhet të besojmë të thënat e tij?

Jo, jo. Kurrësesi. Është, sikundër e the, thashathemnajë. Një artist i vërtetë në përmasat e time eti, nuk mund kurrë të bie në kurthin e politikës e aq më tepër të komunizmit, vetëm e vetëm se ishte kundërshtar i shpallur i nazizmit. Është një histori tejet e stisur, nga gazetarë dinakë e shërbetorë të interesave meskine. Im atë, ngaqë vinte nga një familje e vobekët, e pa me simpati revolucionin rus. Kaq. Pati një pëzm ndaj amerikanëve, ngaqë e patën përzënë. E pakuptueshme. Ai që gjthë karrierën e ndërtoi në Amerikë.

Çudi, Amerika dhe Anglia janë dy vende që i ndan gjuha e tyre e përbashkët, i zë ngoje një konstatim të qëlluar të Bernard Shaw-t, konstatim që i miklon britanikët, por që përbën një kompleks të pakuptimtë ndërvarrjeje nga vëllëzërit e tyre të përtej oqeanit. Po, nejse. Do më thënë, Chaplini interesohej për politikën, apo… Unë, për vete, nuk i besoj institucionit të politikës dhe komunitetit të politikanëve, pos rasteve kur politika përgënjështrohet zyrtarisht. (Qeshim)

Jo, jo, nuk interesohej. Lexonte gazetat, me shumë kujdes, por kurrësesi si politikan. Madje, im atë nuk ishte intelektual i formuar. Ishte një talent i vetvetishëm, por nuk konsumohej në teori e deduksione filozofike …..

Më falni, por për këtë unë do të kisha tjetër mendim. Në Autobiografinë e tij, e cila u botua në Shqipëri në fund të viteve ’80, Chaplini është dhe intelektual, dhe filozof, dhe …. Ajo Autobiografi është një nga librat më të preferuara dhe më të dashura të miat. Dhe kjo ishte surpriza për të cilën ju fola. Autobiografia e Çaplinit u botua në Shqipëri në kohën e obskurantizmit më të errët historik të këtij poopulli, të komunizmit. Censura komuniste e qethi mirë, por falë një përkthimi të mrekullueshëm të një kolegu tim dhe talentit të madh të Çaplinit libri ishte bërë best seller për shumë kohë.

Vërtet, këtë ma kanë thënë dhe shumë të tjerë kudo në botë. Hm. Më bën shumë përshtypje kjo që më thua.

Do t’ jua dërgoj librin, ta kini si kujtim në relikat e shumta, ma merr mendja, të tij. Bashkë me bastunin, republikën…

Oh, të faleminderit. Atypari, do të krijohet muzeu i time eti dhe një Akademi e Artit Dramatik në emër dhe në kujtim të tij. Do t’jua di për nder. Do t’ju ftoj në përurimin e muzeut dhe, madje, në punimet që do kryhen nga një shoqëri e njohur kanadeze ….

Nder është për mua, që do të pranoni një dhuratë simbolike, Autobiografinë e Charl Chaplinit botuar në shqip. Në Shqipëri Chaplini ka shumë ithtarë, madje dhe shumë imitues e neosharlotë si kudo në botë, zaten! Kam lexuar vjet në shtypin francez se kanë dhunuar varrin e tij në Zvicërr. Sa tmerr…

Vërtet e ke lexuar? Çudi.

Po, po ishte makabre.

Kërkonin para që të na kthenin eshtrat përsëri, por ne nuk dhamë farësendi. Ata lë të mbanin eshtrat, ne kujtimin e tij. Po më bën përshtypje që ditke kaq shumë për tim atë.

Babai juaj, si pak njërëz të këtij rruzulli, kanë ndikuar fort në personalitetin tim. I jam mirënjohës, paçka se ju miklon një gjë e tillë. Autobiografia e tij është një përmendore e një njëriu të gjallë tokësor, me të mirat dhe cenet e tij, një filozofi e madhe. Vërtet, si e shpjegoni ju karakterin e tij konservator për të mos i hapur rrugë filmit me zë?

Po, po. Por duhet ta dish që kur doli filmi me zë, ai ishte i thyer në moshë. Nuk kthente atëherë. Vështirë….

Jam kureshtar, çfarë ndjeni ju, si djalë i tij, për ato histori bulevardeske me femra, prositituta, akuza, gjyqe për njohje atësie, të cilat i përmend dhe ai në Autobiografinë etij, por që shtypi, siç ndodh rendom në kësi rastesh, është treguar i pakursyer…..

Nuk e ndjej vetën dhe kaq të çlirët, natyrisht. Por as ngushtë. Hm.. Të thashë, shumica ishin të sajuara, histori të stisura enkas kundër tij. Ku ta dish…. Por, më ardhka mirë që bisedoj me ty, më thanë se përktheve Zorbën e Kazanxaqit në shqip? Apo jo?

Po. Para shumë vjetesh. Tani do të ribotohet, se është një libër i dashur për shumë lexues në Shqipëri.

Zorba është një nga librat më të dashura të miat: Kazanxaqi është filozof, më së pari, pastaj shkrimtar. Është poet i mirëfilltë.

Kazanxaqi, bashkë me Tolstoin, Flaubert-in,  Somerset Maum-in e Kunderen kanë një vend të veçantë në ndergjegjen time estetike.

E dini, të gjithë nisen nga filmi i Kakojanit për të shkuar tek romani. Ndërsa duhet të ndodhë e kundërta. Romani nuk ka të krahasuar me filmin. Është e natyrshme, zaten.

Desha ta pyes dhe për shumë gjëra të tjera, por … Vjen koha për të bërë fotografitë përkujtimore, ato fotografi që kur i shikon me shumë kujdes, dëgjon zërin e tyre, atë zë që nuk e dëgjove gjatë bisedës dhe që e merr me vete. Se, kush e di… A do të të jepet përsëri rasti për ta pasur afër këtë figurë që e lindi një krijesë gjysmë njëri e gjysmë hyjni, si perenditë e lashta? Dhe, tek e mbramja, ka disa gjëra që nuk pyetën e as u përgjigjesh dot. Pata dëgjuar dikur, fjala vjen, një aktor të njohur që thoshte se aktorët janë të vetmit hipokritë të ndershëm. Po ta pyesja për të atin, si do të më përgjigjej vallë?

Qipro, 15 nëntor 2001                                                STAVRI J. DAJO

Burimi: Gazeta e Athinës, 24 dhjetor 2001

Από Editor

Αφήστε μια απάντηση

Η ηλ. διεύθυνση σας δεν δημοσιεύεται. Τα υποχρεωτικά πεδία σημειώνονται με *