Mendime për përmbledhjen me novela dhe tregime “Të jesh i bukur dhe të vdesësh” përgatitur nga Stavri J. DAJO, Botime Literatus 2016.
Prof. Asoc. Dr. Maklena NIKA
Kostis Palamas, poeti i madh grek i brezit të viteve 1880, një nga përfaqësuesit më në zë të parnasizmit në Greqi, për herë të parë flet në shqip në një botim të mëvetësishëm, përgatitur nga Stavri Dajo, përkthyesi i njohur dhe i talentuar i një sërë veprash të rëndësishme dhe përfaqësuese të letërsisë së re greke. Përzgjedhja e Stavri Dajos për të përkthyer është e goditur, jo vetëm përsa i përket autorit, por edhe novelave dhe tregimeve që përfshihen në këtë botim. Ai përzgjedh një shkrimtar të madh i cili është laureuar me disa çmime letrare, ka një profil të qartë dhe të spikatur poetik dhe që i premton lexuesit kënaqësi estetike në lexim dhe reflektim. Është poeti që nga viti 1926 deri në 1940, propozohet katërmbëdhjetë herë si kanditat për çmimin Nobel në letërsi. Në 1924, qeveria franceze do ta nderojë me titullin Legjioni i Nderit, në 1933 qeveria gjermane me titullin Gëte e do të vijojnë kështu edhe një sërë titujsh të tjerë nga qeveria spanjolle, italiane, etj. Në atë kohë, edhe Gjergj Fishta, miku i tij personal, bashkë me shumë personalitete të njohur të letrave shqipe, i kërkuan Akademisë Suedeze kualifikimin e kanditaturës greke të Palamasit.
Dhe pas kaq vitesh, edhe pse jehona e shkrimtarit i ka kapërcyer kufijtë e ngushta të Greqisë dhe është përhapur në tërë botën, Stavri Dajo merr vendimin të bashkëidentifikohet me autorin dhe ta sjellë atë në gjuhën shqipe me një përkthim të përsosur, elegant, të arrirë e të pasur, që përfaqëson më së miri gjuhën dhe stilin e prozatorit. Novela “Të jesh i bukur dhe të vdesësh”, e shkruar në vitin 1891, është kryevepra e shkrimtarit në prozë dhe cilësohet ende sot si një vepër klasike me vlera të aktualizuara.
Kjo novelë do të mund të quhej edhe një epos në prozë, pasi në të autori vijon të shprehë idetë e tij për rilindjen shpirtërore të Greqisë. Ai i kthehet popullit dhe traditës së tij. Duket sikur shpirti heroik i Greqisë mbyllet brenda shpirtit trim të Mitros, heroit kryesor. Ashtu si ai kalbet në krevatin e tij, viktimë e injorancës së mjekëve, kështu edhe Greqia është viktimë e gënjeshtrës politike, e fanatizmave dhe e paramendimeve të prapambetura, por me një pasion të thellë në shpirt. Përkthyesi ka ditur t’i transmetojë lexuesit në formën më të përsosur gjuhën e veprës, rumeliote, e pasur me shumë elementë të huazuar nga të gjitha idiomat, por që në thelb mbetet e përzgjedhur dhe estetike. Kjo gjuhë e përdorur edhe në shqip krijon përshtypjen e një fjale poetike të shprehur në prozë. Ti si lexues ndjen muzikën e brendshme që përshkon tërë veprën, duke kuptuar njëkohësisht edhe antitezën e heroit kryesor të veprës, që krijohet nga shëmtia e invaliditetit të tij dhe himnizimi i bukurisë estetike dhe trupore, që krijon metaforën më të fuqishme në faqet e novelës. Një gërshetim i jashtëzakonshëm i elementit niçean të mbinjeriut dhe sentimentalizmit dhe brishtësisë së fenomenit letrar. Ai mohon të jetojë i vetëm dhe i izoluar për shkak të paaftësisë së tij për të jetuar, dhe deri në momentin e fundit të jetës së tij tërhiqet zvarrë për të prekur dhe kuptuar vetë jetën.
Edhe pse nga disa kritikë kjo vepër është konsideruar e një simbolike të fortë, që në vetvete lidentifikohet me Greqinë e rrënuar të atyre viteve, kjo vepër transmeton një mesazh aktual edhe në ditët e sotme, luftën e pandërprerë të njeriut, ndoshta i pështjelluar brenda Mitit të Sizifit, apo i endur për vite e vite të tërë për të gjetur Itakën e tij, për të mos iu nënshtruar fatit të tij, por për ta formësuar me gjakun e tij këtë fat.
“Të jesh i bukur dhe të vdesësh” intrigon këdo që do t’i binte në dorë ky libër. Sepse sinereza e të bukurës (hyjnore) dhe e vdekjes (njerëzore) krijon të magjishmen në letërsi.
Duhet përmendur edhe ndihmesa e përkthyeses së re, Eljona Zana, e cila kontribuon në këtë vëllim me përthimin e dy tregimeve të spikatura të autorit.
Gazeta shqiptare 17-05-2016
Tiranë, Maj 2016