Stavri J. DAJO
Doktor i shkencave historike të Universitetit Aristoteli Selanik
Më 27 maj 1961 –pesë muaj pas shpalljes së bujshme të konfliktit shqiptaro-sovjetik– dhe pas një viti proces intensiv hetimor me legjendime, kombinacione, inskenime dhe alibi trashanike Gjykata e Lartë, kryesuar nga Shuaip Panariti, dënoi grupin e “agjentëve” me origjinë çame kryesuar nga Teme Sejko, kundëradmiral dhe Komandat i Flotës Detare të bazës së Durrësit. Me vdekje u dënuan Teme Sejko, Tahir Demi, Abdyl Resuli dhe Hajri Mane dhe me burgime të rënda pjesëtarë të tjerë të komplotit çam. Procesi u transmetua me radio dhe opinioni publik dëgjoi me veshët e tij se “kriminelët” kishin pranuar me gojën e tyre se ishin vënë në shërbim të agjenturave të huaja amerikano-jugosllave-greke. Ky informacion iu transmetua dhe opinionit ndërkombëtar i mbështetur madje nga diskutimi patetik i Nexhmije Hoxhës në Kongresin e 4-të të PPSH, në shkurt 1961. Diplomacia perëndimore u shpreh me habi për këtë “zbulim” të sigurimit të shtetit shqiptar, ngaqë Flota e 6-të amerikane nuk kishte aspak në plan një ndërhyrje në Shqipëri për të përmbysur regjimin komunist shqiptar (i cili në atë kohë po shkëputej nga orbita sovjetike, lëvizje që puqej me interesat perëndimore) ndërsa nuk kishte asnjë mision agjenturor në Shqipëri në zhvillim pas dështimit të operacioneve britanike dhe amerikane, respektivisht «BGFIEND» ( “Djalli” 1949-1953), dhe riemëruar në vijim «OBOPUS» (1953-1958), ndërsa plani operacional britanik i ΜΙ6 u quajt Operation Valuable (1949-1953), me autorë grupimet e të arratisurve shqiptarë në vendet e perëndimit. Më anë tjetër, Greqia kishte kërkuar nga NATO dhe aleatet perëndimorë të mos implikohej në këtë operacion pasi cenohej sovraniteti i një vendi të pavarur dhe për më tepër, nuk kishte asnjë përfitim në rast se operacioni do të kurorëzohej me sukses lidhur me interesat e saj kombëtare kundrejt Shqipërisë dhe minoritetit grek, të cilin kërkoi ta mbante larg. Për këtë diplomacia amerikane vendosi që të mos përgënjeshtronte as verbalisht propagandën komuniste shqiptare.
Çështja, edhe pse “u faktua botërisht” dhe kriminelët pranuan fajësinë, mbeti për një kohë të gjatë mister, se njerëzit i njihnin të dënuarit, por edhe një pjesë e madhe e opinionit publik nuk besuan se ishte thurur një komplot në krye të ushtrisë aq më tepër siç pretendohej “për të shitur atdheun tek imperialistët” një propagandë diabolike e shërbimit agjitativ komunist për të fajësuar kundërshtarët e pushtetit dhe për të bashkuar popullin rreth partisë dhe regjimit, pasi “vihej në rrezik tërësia tokësore e vendit”.
Çështja doli në pah përfundimisht në vitin 1983 kur u arrestua një nga kriminelët më të regjur të regjimit komunist, Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu. Sigurimi i shtetit thirri në ndihmë të burgosur që i ruante të konservuar për raste të tilla, dhe me deponime të vërteta ose të trilluara, sipas rastit, u ballafaquan me Kadri Hazbiun i cili kishte inskenuar në themel çështjen e komplotit çam, me dijeni të udhëheqjes së lartë. Një rol kyç në “zbulimin” e rolit të Kadri Hazbiut luajti një figurë e shumëpërfolur, i burgosur dhe i riburgosur me akuza për veprimtari agjenturore në shërbim të shteteve të huajve, Kosta Fili, i arratisur në vitin 1954 në Greqi por që në fakt veproi më shumë me nisma dhe për përfitime vetjake, me premtime të të arratisurve të tjerë për të sjellë gratë e tyre ose duke u kryer shërbime të ndryhme silogjeve.
Skena e vrasjes makabre të Teme Sejko dhe kallja në dhe gjysmë i gjallë të kujtojnë inkuizicionin mesjetar të njerëzimit, por dhe format më të preferuara të bandës kriminele komuniste shqiptare.
Edhe në këtë botim Kastriot Dervishi, sjell pjellori detajesh dhe faktesh të pakundërshtueshme, që konfirmohen nga koleksionet arkivore amerikane dhe britanike, argumente bindëse dhe të habit me saktësinë e informacionit dhe të deduksionit. Kastriot Dervishi mbetet një nga studiuesit më të devotshëm të historisë bashkëkohore shqiptare, i thukët, i prerë, dhe asnjanës. Është një nga njohësit më të mirë të arkivistikës dhe të dokumentacionit arkivor. Falë punës së tij titanike lexuesi shqiptar njohu jo vetëm krimet e komunizmit në Shqipëri, por dhe anë të pandriçuara të memories historike, të asaj pjese të protagonistëve që deri në vitet 1990 nuk kishin të drejtë dhe qasje në jetën publike.
